Trainkos

Transporti i mallrave

Trainkos Sh.A. ofron shërbime të transportit hekurudhor të mallrave ne territorin e Republikës se Kosovës si dhe organizimin e transportit në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë. Përmes transportit konvencional dhe transportit të kombinuar, Ndërmarrja synon të përmbushë nevojat e klientëve dhe bizneseve për transportin e mallrave në relacionet ku operon.

Departamenti përgjegjës për transportin e mallrave organizon aktivitetet e transportit, koordinon operimin e trenave të mallrave dhe bashkëpunon me stacionet hekurudhore.

Transporti konvencional

Transporti konvencional përfshin transportin e dërgesave me vagonë hekurudhorë dhe u dedikohet veçanërisht klientëve që kanë nevojë të transportojnë sasi më të mëdha të mallrave.

Në kuadër të këtij shërbimi përdoren lloje të ndryshme vagonësh, varësisht nga karakteristikat e mallit dhe kërkesat e transportit: 

  • Vagonë të hapur; 
  • Vagonë të mbyllur; 
  • Vagonë me konstruksion të veçantë; 
  • Plato-vagonë;
  • Vagonë-cisterna.

Ky lloj transporti mund të përdoret për mallra të shpërndara, produkte dhe gjysme produkte të industrisë metalurgjike dhe ndërtimore, mallra të paletizuara, kemikale dhe dërgesa të tjera që mund të transportohen me vagonë përkatës. Dërgesat e veçanta ose jashtëzakonshme trajtohen sipas kushteve specifike të transportit.

Transporti konvencional organizohet për dërgesa vendore dhe ndërkombëtare, në përputhje me mundësitë operative, kapacitetet e vagonëve dhe kushtet përkatëse të transportit.

Transporti i kombinuar

Transporti i kombinuar mundëson organizimin e transportit të mallrave përmes kombinimit të transportit hekurudhor me atë rrugor, duke shfrytëzuar vagonë, kontejnerë dhe kamionë, sipas nevojave të dërgesës.

Ky shërbim synon të shfrytëzojë përparësitë e transportit hekurudhor dhe rrugor, duke mundësuar organizimin më efikas të transportit të mallrave dhe përdorimin racional të kapaciteteve transportuese.

Trainkos Sh.A. organizon transportin e kombinuar në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, operatorë të tjerë hekurudhorë, organizues të transportit rrugor, operatorë të transportit detar dhe terminale të kontejnerëve.

Mundësia e realizimit të secilës dërgesë varet nga relacioni, lloji i mallit, kapacitetet në dispozicion dhe organizimi i transportit.

Kapacitetet e vagonëve

Përzgjedhja e vagonit bëhet në varësi të llojit, peshës, dimensioneve dhe karakteristikave të mallit që duhet të transportohet.

Trainkos Sh.A. publikon informata të veçanta për kapacitetet e vagonëve, të cilat shërbejnë si referencë për organizimin e dërgesave dhe përcaktimin e vagonit të përshtatshëm.

Porosia e vagonëve

Vagonët për ngarkim porositen nga dërguesi në stacionin e nisjes, përmes formularit përkatës të porosisë së vagonëve. Porosia përcaktohet në bazë të llojit, peshës dhe madhësisë së mallit.

Vagonët duhet të jenë të përshtatshëm për llojin e mallit dhe të mundësojnë ngarkimin e sigurt, duke respektuar kapacitetin e lejuar të ngarkesës.

Përgatitja e dërgesës

Për çdo transport të planifikuar duhet të bëhet njoftimi paraprak sipas procedurave të Trainkos Sh.A., në mënyrë që të ndërmerren masat e nevojshme për organizimin e dërgesës.

Klientët që kanë marrëveshje ose kontratë për kushte dhe dinamikë të veçantë të transportit veprojnë sipas dispozitave të marrëveshjes përkatëse.

Ngarkimi dhe sigurimi i mallrave

Mallrat e përgatitura për transport duhet të paketohen në mënyrë që të mbrohen nga humbja, dëmtimi ose shkaktimi i dëmit ndaj hekurudhës dhe personave të tjerë.

Gjatë ngarkimit të vagonëve duhet të sigurohet shpërndarja e përshtatshme e ngarkesës, në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komunikacionit hekurudhor.

Për disa lloje dërgesash, përfshirë mallrat me dimensione të jashtëzakonshme, kafshët e gjalla dhe dërgesat e paketuara ose dengore mbi peshën e përcaktuar në udhëzimet përkatëse, kërkohen pajisje të përshtatshme për sigurimin dhe përforcimin e ngarkesës.

Dispozitat për ngarkimin zbatohen pavarësisht nëse ngarkimi kryhet nga Trainkos Sh.A. apo nga shfrytëzuesi i transportit.

Arritja e mallit

Informimi për arritjen e dërgesave bëhet përmes telefonit ose postës elektronike, sipas informatave të publikuara nga Trainkos Sh.A.

Klientët mund të shfrytëzojnë kanalet përkatëse të komunikimit për informata lidhur me arritjen e mallrave.

Transporti ndërkombëtar dhe pikat doganore

Transporti ndërkombëtar i mallrave përfshin dërgesat që lidhen me importin, eksportin dhe tranzitin, në përputhje me procedurat dhe kërkesat përkatëse

Rrjeti hekurudhor

Harta e rrjetit hekurudhor paraqet linjat në të cilat operon Trainkos Sh.A. dhe shërben si referencë për informimin e klientëve rreth rrjetit hekurudhor.


Çmimorja dhe tarifat

Për informata lidhur me tarifat dhe kushtet e transportit, klientët mund të konsultojnë përmes kontakteve të publikuara nga Trainkos Sh.A..

Mundësitë e bashkëpunimit me bizneset

Trainkos Sh.A. ofron mundësi bashkëpunimi për kompanitë prodhuese, importuesit, eksportuesit, operatorët e transportit dhe subjektet e tjera ekonomike që kanë nevojë për transportin e mallrave.

Bashkëpunimi mund të përfshijë transportin konvencional me vagonë, transportin e kombinuar me kontejnerë dhe kamionë, si dhe organizimin e dërgesave përmes partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Për të shqyrtuar kërkesën, është e nevojshme të përcaktohen lloji i mallit, sasia ose pesha, vendi i nisjes, destinacioni dhe koha e planifikuar e transportit.

Në bazë të këtyre informatave, kërkesa mund të shqyrtohet sipas kapaciteteve në dispozicion, relacionit dhe kushteve përkatëse të transportit.

Bizneset e interesuara mund të paraqesin kërkesat e tyre përmes formularit elektronik për kërkesë të ofertës ose të përdorin kontaktet zyrtare të Trainkos Sh.A.

Kontaktet

NP Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A.

Adresa: Rruga Salih Puçolli, p.n., Fushë Kosovë, Republika e Kosovës

Nr. i zyrës: +383 (0) 38 606 839

E-mail për marketing: marketing@trainkos.com

Ueb-faqja: www.trainkos.com

Kërkesë për ofertë për transportin e mallrave

Për të kërkuar ofertë për transportin e mallrave, klientët mund ta shkarkojnë dhe plotësojnë formularin dhe i njëjti të dërgohet në emailin: marketing@trainkos.com

(shkarko formularin shqip)

(shkarko formularin anglisht)

Formulari shërben për paraqitjen e të dhënave të klientit dhe informatave për dërgesën, në mënyrë që kërkesa të shqyrtohet nga njësia përgjegjëse e Trainkos Sh.A.

Bisedo Me Ne

Përshëndetje! Si mund t'ju ndihmoj sot?